Shpeshherë, jeta jonë mund të bëhet dinamike dhe stresuese nga shqetësimet dhe përgjegjësitë e ndryshme. Në raste të tilla, ne kërkojmë dhe bëjmë gjëra që të na largojnë mendjen nga realiteti dhe të qetësohemi për pak kohë. Ka shumë mënyra për ta arritur këtë. Disa prej nesh merren me ndonjë hobi, lexim, ecje, sport, ndërsa të tjerë ndonjëherë vetëm ulen dhe mendojnë për situata imagjinare, quajtur ndryshe “endërrim me sy hapur”.
Është krejtësisht normale të humbasim në mendimet tona herë pas here. Ky fenomen, i njohur si “daydreaming” ose “ëndërrim me sy hapur,” zakonisht përdoret si një mekanizëm për t’u larguar nga realiteti. Disa ekspertë thonë se ne kalojmë 47% të kohës kur jemi zgjuar duke ëndërruar me sy hapur (Killingsworth, 2010). Megjithatë, nëse këtë e bëjmë vazhdimisht dhe për një kohë të gjatë, kjo mund të kthehet në “Maladaptive Daydreaming” (ëndërrim i keqpërshtatur).
Edhe pse ende nuk është identifikuar zyrtarisht si çrregullim mendor në DSM-5, personat që vuajnë nga kjo gjendje priren të kenë probleme të tjera me shëndetin mendor.
Ndonjëherë e njohur si “çrregullimi i ëndrrave me sy hapur”, kjo gjendje përshkruan një situatë ku personi, edhe kur është zgjuar, ëndërron në mënyrë aq intensive dhe shpërqendruese sa që ndalon së bëri aktivitetin e momentit dhe ndërpret ndërveprimin me të tjerët, duke u futur thellë në gjendje ëndrre. Këta persona shpeshherë interpretojnë ose bëjnë dialog imagjinar me personazhet fiktiv në “ëndrrën” e tyre. Disa prej tyre ëndërrojnë me aq shumë detaje saqë duket si një ngjarje reale, ndërsa të tjerë në mënyrë më të përgjithshme. Zakonisht, ky mekanizëm përdoret si një lloj mbrojtjeje dhe përgjigje ndaj traumës dhe ngjarjeve jo të këndshme që kemi përjetuar, pasi bota e brendshme/mendimet tona janë një ambient më i mirë dhe më i sigurt se bota jashtë. Sipas një studimi, njerëzit e gjenin veten duke “parë ëndrra me sy hapur” shumë më shpesh gjatë kohës së COVID-19 (Somer et al., 2020), kur ndiheshin të mbytur nga situata dhe mbyllja, ata përdornin këtë mënyrë për t’u shkëputur për ca çaste nga realiteti.
Simptomat
Ky çrregullim shoqërohet me simptoma të ndryshme, ku ndër më të zakonshmet përfshijnë:
Ëndërrime të zgjatura dhe të detajuara : Individët shpesh përjetojnë ëndrra komplekse që zgjasin për periudha të gjata kohore dhe janë jashtëzakonisht të detajuara, duke i bërë ata të ndihen më reale sesa jeta e përditshme (Somer, 2002). Këto ëndërrime shpesh përfshijnë histori të përpunuara, personazhe të imagjinuara dhe situata që mund të duken më tërheqëse se jeta reale.
Dështimi për të kontrolluar ëndërrimin : Njerëzit që vuajnë nga ëndërrimi i keqpërshatur gjatë ditës shpesh e kanë të vështirë të ndërpresin ëndërrimin e tyre, edhe kur ato ndërhyjnë me detyrat e përditshme ose aktivitetet sociale (Bigelsen & Schupak, 2011). Kjo mungesë e kontrollit mund të çojë në një gjendje ku individi kalon gjithnjë e më shumë kohë në botën e ëndrrave , duke neglizhuar përgjegjësitë dhe marrëdhëniet reale.
Ndjenja e nevojës për të ëndërruar : Shpesh ekziston një dëshirë e fuqishme për të hyrë në gjendje ëndërrimi, e cila mund të përdoret si një mekanizëm arratisjeje nga realiteti dhe stresi (Somer et al., 2016). Kjo mund të jetë veçanërisht problematike gjatë periudhave të stresit të lartë ose pas përjetimit të ngjarjeve traumatike.
Izolimi social : Për shkak të kohës së konsiderueshme të kaluar në ëndërrim me sy hapur, individët me këtë çrregullim mund të izolojnë veten nga shoqëria dhe të kenë vështirësi në mbajtjen e marrëdhënieve sociale (Bigelsen et al., 2016). Si pasojë e izolimit social, mund të përkeqësohet ndjenja e vetmisë dhe të rritet varësia për ëndërrime si formë arratisjeje.
Diagnoza e Maladaptive Daydreaming
Diagnostifikimi i maladaptive daydreaming është një sfidë më vete, pasi ky çrregullim ende nuk përfshihet në grupin e çrregullimeve mendore DSM-5. Megjithatë, sipas disa hulumtimeve dhe studimeve, janë propozuar disa kritere për të identifikuar këtë gjendje, që përfshijnë:
Vlerësimin e historisë së pacientit : Është esenciale të bëhet një intervistë e hollësishme me pacientin për të kuptuar natyrën dhe frekuencën e ëndrrave (Somer, 2002). Kjo intervistë përfshin pyetje rreth kohës kur kanë filluar ëndërrimet, sa shpesh ndodhin dhe sa e si ndikojnë në jetën e përditshme.
Përdorimi i pyetësorëve të standardizuar : Një mjet i rëndësishëm që mund të përdoret për të matur intensitetin dhe ndikimin e ëndrrave është Maladaptive Daydreaming Scale (MDS) (Somer et al., 2017). Ky pyetësor ndihmon në identifikimin e nivelit të përfshirjes së individit në ëndërrime dhe ndikimin e tyre në funksionimin e përditshëm.
Përjashtimi i çrregullimeve të tjera : Është e rëndësishme të përjashtohen çrregullimet e tjera psikologjike që mund të kenë simptoma të ngjashme, siç janë çrregullimet e spektrit të autizmit ose çrregullimet e ankthit (Bigelsen & Schupak, 2011). Kjo përfshin një vlerësim të plotë për të siguruar që simptomat e ngjashme nuk janë shkaktuar nga ndonjë çrregullim tjetër mendor.
Këshilla për Menaxhimin e Maladaptive Daydreaming
Megjithëse nuk ka një trajtim të aprovuar specifik për maladaptive daydreaming, disa strategji mund të ndihmojnë në menaxhimin e simptomave:
Vendosja e kufijve të kohës për ëndërrime : Krijimi i orareve të caktuara për ëndërrime mund të ndihmojë në kontrollimin e kohës së kaluar në këtë aktivitet. Duke vendosur kufij të qartë, individët mund të ndihmojnë veten të mbajnë një balancë më të mirë ndërmjet jetës reale dhe asaj imagjinare(Somer et al., 2016).
Angazhimi në aktivitete të tjera : Zbulimi i hobive të reja ose aktiviteteve fizike mund të ndihmojë në uljen e nevojës për të ëndërruar. Aktivitetet që kërkojnë përqendrim dhe angazhim fizik mund të jenë veçanërisht të dobishme në tërheqjen e vëmendjes larg ëndërrimeve (Bigelsen et al., 2016).
Kërkimi i ndihmës profesionale : Terapia kognitive-bihejviorale (CBT) ka treguar se mund të jetë efektive në menaxhimin e maladaptive daydreaming. Kjo qasje ndihmon individët të kuptojnë dhe ndryshojnë modelet e mendimeve dhe sjelljeve që kontribuojnë në ëndërrimet e tepërta (Somer et al., 2017).
Mbajtja e një ditari: Shënimi i mendimeve dhe ndjenjave gjatë ditës mund të ndihmojë në identifikimin e shkaktarëve të ëndërrimeve dhe zhvillimin e strategjive për të reduktuar ato. Ditari mund të ndihmojë gjithashtu në rritjen e ndërgjegjësimit për situatat ose ndjenjat që nxisin ëndërrimet (Bigelsen & Schupak, 2011).
Përdorimi i teknikave të relaksimit: Teknikat e relaksimit, si meditimi dhe frymëmarrja e thellë, mund të ndihmojnë në uljen e stresit dhe ankthit që shpesh janë shkaktarë të ëndërrimeve maladaptive. Këto teknika mund të ndihmojnë në rritjen e kontrollit mbi mendimet dhe fokusimin e tyre në momentin aktual.
Maladaptive daydreaming/ Endërrimi i keqpërshtatur është një çrregullim që kërkon vëmendje dhe menaxhim të kujdesshëm. Duke kuptuar simptomat dhe diagnozën e tij, individët mund të fillojnë të zbatojnë strategji për të menaxhuar këtë gjendje dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre. Është e rëndësishme të kërkohet ndihmë profesionale nëse ëndërrimet fillojnë të ndërhyjnë në funksionimin e përditshëm. Ndërgjegjësimi dhe mbështetja janë kyçe përtu përballur me këtësfidë dhe për të ndihmuar individët të gjejnë një rrugë drejt një jete më të balancuar dhe të lumtur.
Pergatiti: Fjolla Murati